Politika e privatësisë

Përditësuar më 21 nëntor 2026.

Robelo është një treg për veshje të dorës së dytë. Këtu shpjegojmë çfarë të dhënash mbledhim, pse i përdorim, kush i sheh dhe çfarë kontrolli ke mbi to. Për çdo pyetje, shkruaj te [email protected].

Çfarë mbledhim

Llogaria: numri i telefonit, emri i përdoruesit, emri që shfaqet në profil, qyteti dhe, nëse i shton, fotoja e profilit dhe përshkrimi.

Adresat e dorëzimit: emri i marrësit, telefoni, qyteti, adresa dhe shënimet. Për shitësit, edhe pika e korrierit që zgjedhin për dorëzimin dhe kthimet.

Për artikujt që publikon ruajmë fotot, videon, përshkrimin dhe çmimin, si edhe ndryshimet që u bën pas publikimit. Para se t’i ruajmë fotot dhe videot, heqim të dhënat e fshehura, si vendndodhja dhe të dhënat për pajisjen.

Porositë, pagesat dhe ankesat për porositë, bashkë me fotot që u shton. Mesazhet, fotot dhe videot që dërgon në biseda. Vlerësimet dhe përgjigjet ndaj tyre, artikujt që pëlqen dhe kërkimet që ruan.

Kur ke hyrë në llogari, ruajmë artikujt që hap dhe kërkimet që bën, për të zgjedhur çfarë të shfaqim te «Për ty» në faqen kryesore.

Raportimet që dërgon, me arsyen dhe shënimin tënd, dhe personat që bllokon.

Ruajmë mesazhet dhe fotot që i dërgon Robelo-s kur kërkon ndihmë. Kur raporton një problem me aplikacionin, ruajmë edhe versionin e aplikacionit, sistemin e telefonit dhe faqen ku ishe.

Për pagesat e shitjeve dhe rimbursimet në bankë: IBAN-i dhe emri e mbiemri i mbajtësit të llogarisë, si në bankë.

Kur pranon Rregullat e përdorimit dhe Politikën e privatësisë, në hapjen e llogarisë ose pas përditësimit të tyre, ruajmë versionin që pranove, kohën e pranimit dhe nëse përdore uebfaqen apo aplikacionin. Të njëjtat të dhëna ruajmë edhe kur pranon Kontratën e agjencisë para se të shesësh.

Nëse kërkon të njoftohesh me SMS kur hapet Robelo, ruajmë kur dhe ku e dhe pëlqimin, tekstin që pranove, kur e tërhoqe pëlqimin dhe kur ta dërguam SMS-në. Nëse merr dërgesën e parë falas: kur e more dhe në cilën porosi e përdore.

Të dhëna teknike: adresa IP, lloji i pajisjes, versioni i aplikacionit dhe kur ke hyrë së fundi. Nëse i lejon njoftimet, ruajmë edhe kodin e pajisjes që përdoret për t’i dërguar ato në telefonin tënd. Nëse ndodh një gabim në aplikacion ose në uebfaqe, marrim një raport teknik që na ndihmon ta rregullojmë. Ai përmban gabimin, faqen ku ndodhi, shfletuesin ose modelin e telefonit dhe versionin përkatës, pa emrin, numrin e telefonit apo llogarinë tënde. Matim edhe sa shpejt hapen faqet.

Pse i përdorim

Për të të futur në llogari me një kod me SMS, dhe për të të dërguar me SMS lidhjen te Kontrata e agjencisë kur e pranon.

Për porositë: që shitësi ta nisë pakon, korrieri ta dorëzojë dhe paratë të shkojnë te kush duhet. Kur një porosi pret konfirmimin tënd dhe nuk ke aplikacionin me njoftime, të dërgojmë një SMS me lidhjen te porosia.

Për njoftimet që kërkon: kur del një artikull që i përshtatet një kërkimi që ke ruajtur, ose kur ulet çmimi i një artikulli që pëlqen.

Për të zgjedhur artikujt që të shfaqim te «Për ty» në faqen kryesore, bazuar në ato që ke pëlqyer, hapur, kërkuar dhe blerë në Robelo. Këto rekomandime i sheh vetëm ti.

Për ndihmën që kërkon: t'u përgjigjemi pyetjeve dhe ankesave të tua dhe të rregullojmë problemet që na raporton.

Për SMS-në e hapjes, vetëm nëse e ke kërkuar: një SMS kur hapet Robelo. Mund ta tërheqësh pëlqimin kur të duash te robelo.app/sms, përmes lidhjes në fund të SMS-së. Para hapjes mund ta heqësh edhe shenjën te «Më njofto me SMS kur hapet Robelo».

Për dërgesën e parë falas: që çdo numër telefoni ta marrë vetëm një herë, edhe nëse llogaria fshihet dhe hapet sërish.

Për sigurinë: për të ndalur mashtrimet, abuzimet dhe fotot e kopjuara nga të tjerë. Tekstet që shkruan, edhe mesazhet, kontrollohen vetvetiu për fjalë fyese; një mesazh me to i shfaqet marrësit i fshehur dhe e lexon një njeri nga Robelo. Kur disa persona bllokojnë të njëjtën llogari, e shqyrton një njeri nga Robelo.

Për të parandaluar pastrimin e parave dhe blerjet nga vetja: krahasojmë telefonin, adresën dhe llogarinë bankare të blerësit me ato të shitësit, dhe një njeri nga Robelo shqyrton shitjet e pazakonta, si shumë porosi mes të njëjtëve persona ose shumë artikuj të shtrenjtë nga një llogari e re.

Për pagesën në dorëzim: nëse refuzon pako ose nuk i tërheq, pagesa në dorëzim ndalet vetvetiu për një kohë, sipas Rregullave të përdorimit. Nëse mendon se është gabim, na shkruaj dhe e shqyrton një njeri.

Për detyrimet ligjore, si ato tatimore.

Baza ligjore është kontrata me ty për llogarinë dhe porositë, pëlqimi yt për SMS-në e hapjes, interesi ynë i ligjshëm për sigurinë dhe për të kufizuar ofertën në një dërgesë falas për çdo numër telefoni, dhe detyrimet që na vë ligji.

Nuk i shesim të dhënat e tua dhe nuk përdorim reklama ose analitikë nga palë të treta.

Kush i sheh

Të gjithë: emri i përdoruesit, emri që shfaqet në profil, qyteti, fotoja e profilit, përshkrimi, artikujt, vlerësimet (me datën dhe artikullin e porosisë) dhe përgjigjet ndaj tyre, shenja «Shitës themelues», nëse e ke, data kur u regjistrove në Robelo, nëse ke qenë aktiv sot ose këtë javë dhe sa shpejt u përgjigjesh zakonisht mesazheve të reja.

Pala tjetër e porosisë: shitësi sheh emrin, telefonin dhe adresën e dorëzimit të blerësit, që ta nisë pakon. Kur blerësi paraqet një ankesë, shitësi sheh ankesën dhe fotot përkatëse për të vendosur si ta zgjidhë. Blerësi sheh përgjigjen e shitësit. Kur shitësi pranon kthimin, blerësi sheh pikën e korrierit të shitësit, ku e dërgon.

Korrieri: emrat, telefonat dhe adresat e dërgesës, që ia japim kur e regjistrojmë te korrieri.

Kompanitë që na ndihmojnë me SMS-të, serverët, njoftimet në telefon, raportet e gabimeve dhe pagesat, vetëm për këto punë. Disa prej tyre janë jashtë Shqipërisë. Në këto raste, të dhënat transferohen jashtë vendit me garancitë që kërkon ligji.

Kur zgjedh ta ndash një artikull në Instagram ose në një aplikacion tjetër, fotoja dhe teksti që ndan i kalojnë atij aplikacioni, sipas politikës së tij të privatësisë.

Autoritetet, vetëm kur ligji e kërkon.

Sa kohë i mbajmë

Sa kohë ke llogari.

Porositë, pagesat, faturat që u lëshojmë shitësve dhe kontrollet kundër pastrimit të parave i mbajmë aq sa kërkon ligji për dokumentet financiare dhe kundër pastrimit të parave, të paktën 5 vjet, edhe pasi mbyll llogarinë.

Historinë e ndryshimeve të artikujve (çmimi, teksti, cilat foto u shtuan ose u hoqën) e mbajmë 24 muaj, për siguri dhe për të zgjidhur ankesat; e shohin vetëm njerëzit e Robelo-s. Kur fshin llogarinë, fshihet edhe historia e ndryshimeve të artikujve që nuk janë shitur.

Të dhënat për artikujt që ke hapur dhe kërkimet që ke bërë i fshijmë pas 90 ditësh, ose më herët nëse fshin llogarinë.

Shënimin se kur pranove rregullat dhe Kontratën e agjencisë e mbajmë sa kohë ke llogari, si provë e marrëveshjes mes nesh.

Pëlqimin për SMS, edhe pasi e tërheq, dhe SMS-në që të dërguam i mbajmë sa kohë ke llogari, si provë e asaj që pranove.

Shënimin e dërgesës së parë falas e fshijmë 12 muaj pasi hapet Robelo.

Emrat e përdoruesit që ke pasur më parë i mbajmë sa kohë ke llogari, për siguri; për 6 muaj pas ndryshimit askush tjetër nuk i merr dot dhe lidhjet me to hapin profilin tënd.

Kopjet rezervë, regjistrat e serverit (adresa IP dhe faqet e hapura) dhe fotot e videot e fshira zhduken brenda 30 ditëve. Kodet e hyrjes skadojnë pas 10 minutash.

Të drejtat e tua

Profilin dhe adresat mund t’i ndryshosh vetë te «Profili». Emrin e përdoruesit mund ta ndryshosh një herë në 30 ditë.

Llogarinë e fshin vetë, te Profili, Fshi llogarinë.

Mund të kërkosh të shohësh, të korrigjosh, të marrësh një kopje të transferueshme ose të fshish të dhënat e tua. Mund të kundërshtosh edhe përdorimin e tyre. Për këto shkruaj te [email protected] me numrin e telefonit të llogarisë. Përgjigjemi brenda 30 ditëve.

Kur fshihet një llogari, fshijmë profilin, numrin e telefonit, adresat, artikujt që nuk janë shitur, mesazhet dhe pëlqimin për SMS. Porositë dhe pagesat mbeten pa emrin tënd, aq sa kërkon ligji; faturat që të kemi lëshuar si shitës e mbajnë emrin, sepse ligji nuk lejon t'i ndryshojmë. Numri mbetet vetëm te shënimi i dërgesës së parë falas, deri në afatin më sipër.

Nëse nuk je i kënaqur me përgjigjen, mund të ankohesh te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Cookies

Uebfaqja përdor një cookie për të ruajtur hyrjen në llogarinë tënde. Nëse zgjedh pamjen e çelët ose të errët, përdorim edhe një cookie tjetër për të ruajtur këtë zgjedhje. Nuk përdorim cookies për reklama ose analitikë.

Drafti i një artikulli që nuk e ke ruajtur ende mbetet vetëm në shfletuesin ose telefonin tënd.

Mosha dhe ndryshimet

Robelo është për persona 18 vjeç e lart. Nëse e ndryshojmë këtë politikë, të njoftojmë në aplikacion.