Kushtet e shitjes

Përditësuar më 21 nëntor 2026.

Këto janë kushtet me të cilat shitësit në Robelo i shesin artikujt e tyre. I paraqet Robelo (Geri Luga, NIPT M46827003E, Bulevardi Mehmet Pashe Plaku 03310002, Nd. 84, H. 1, Shkodër), si agjent i shitësve. Kur porosit, blen nga shitësi, me këto kushte.

Shitësi dhe Robelo

Shitësi është personi që e ka publikuar artikullin; emri i shitësit shfaqet te artikulli dhe te porosia. Robelo pranon porosinë dhe arkëton pagesën në emër të shitësit. Robelo nuk të shet asgjë dhe nuk të merr asnjë tarifë.

Shitësit janë persona privatë, ndaj e drejta e tërheqjes brenda 14 ditëve për blerjet online nuk zbatohet. Të mbron garancia e shitësit më poshtë.

Çmimi dhe porosia

Çmimi është ai që shfaqet te artikulli, me zbritjen që shitësi jep për disa artikuj bashkë. Transporti shfaqet para se të porositësh dhe është pjesë e asaj që i paguan shitësit.

Shitja lidhet kur porosit. Shitësi konfirmon brenda 24 orëve që artikulli është gati për dërgim; nëse nuk është më i disponueshëm, porosia anulohet dhe nuk paguan asgjë. Pastaj ke 24 orë për ta konfirmuar edhe ti. Në këtë konfirmim të fundit mund ta anulosh me «Anulo», pa asnjë kosto; edhe nëse nuk e konfirmon, porosia anulohet dhe nuk paguan asgjë.

Dërgesa dhe pagesa

Pas konfirmimit tënd, Robelo e regjistron dërgesën te korrieri dhe shitësi e dorëzon pakon brenda 3 ditëve pasi merr kodin e korrierit, pa llogaritur të dielat dhe festat zyrtare; përndryshe porosia anulohet. Paguan në dorëzim, korrierit: me këtë ke paguar shitësin.

Para se të paguash, shiko që pakoja të mos jetë e hapur ose e dëmtuar. Nëse është, mund ta refuzosh. Nëse artikulli ka një problem që duket vetëm pasi e hap, merre pakon dhe ankohu te porosia, brenda afatit më poshtë.

Garancia e shitësit dhe kthimet

Nëse artikulli nuk të vjen, na shkruaj te «Ndihmë me këtë porosi». Nëse e merr, por nuk është si në foto ose në përshkrim, ose është i dëmtuar, paraqit ankesën te porosia brenda 3 ditëve pas marrjes, me foto të artikullit dhe të pakos.

Për ankesën vendos shitësi: pranon kthimin e artikullit, të kthen një pjesë të parave ose e refuzon ankesën. Nëse nuk përgjigjet brenda 48 orëve, ankesa quhet e pranuar dhe kthimi miratohet automatikisht.

Kthimi shkon te pika e korrierit që ka zgjedhur shitësi. Nëse shitësi nuk ka zgjedhur ende një pikë, ka 72 orë ta zgjedhë; pas kësaj e telefonon dikush nga Robelo që ta zgjedhin bashkë, dhe nëse nuk e gjejmë dot, e zgjedhim ne për të. Shitësi mund ta ndryshojë pikën derisa ta dërgosh pakon.

Kur kthimi pranohet, Robelo e regjistron te korrieri dhe të jep kodin e kthimit. Artikullin e dërgon mbrapsht falas, brenda 5 ditëve pasi merr kodin. Shitësi e kontrollon brenda 2 ditëve pasi e merr. Më pas, vlera e artikullit dhe shuma që pagove për transportin të kthehen në llogarinë tënde bankare.

Rimbursimin e paguan shitësi, nga paratë e kësaj shitjeje; Robelo ta dërgon në emër të shitësit në llogarinë bankare që ke ruajtur në Robelo, dhe nëse nuk ke ruajtur, pret derisa ta shtosh. Robelo nuk vendos vetë kush rimbursohet: zbaton vendimin e shitësit ose rregullat e mësipërme. Nëse shitësi e refuzon ankesën, mund të na shkruash te «Ndihmë» për ndërmjetësim ose t’i drejtohesh gjykatës.

Ligji

Çdo porosi mban këto kushte siç ishin kur u bë. Zbatohet ligji shqiptar, dhe asgjë këtu nuk i kufizon të drejtat që të jep ligji.