robelo.

Kushtet e përdorimit

Përditësuar më 27 shtator 2026.

Këto janë rregullat e Robelo. Duke krijuar llogari, i pranon.

Çfarë është Robelo

Robelo lidh njerëz që shesin dhe blejnë veshje, këpucë dhe aksesorë të përdorur. Shitja bëhet mes blerësit dhe shitësit. Robelo nuk është shitësi: mban pagesën, organizon dërgesën dhe ndërhyn kur diçka shkon keq.

Llogaria

Duhet të jesh 18 vjeç e lart dhe të hysh me një numër telefoni që e përdor vetë. Një person, një llogari.

Je përgjegjës për çdo gjë që bëhet nga llogaria jote.

Kur shet

Shit vetëm sende që i ke në dorë dhe që janë të tuat. Përshkruaji me ndershmëri, me gjendjen e vërtetë, dhe me fotot e tua.

Ndalohen falsifikimet, sendet e vjedhura dhe çdo gjë që e ndalon ligji.

Pas një porosie ke 24 orë të konfirmosh që e ke gati, përndryshe porosia anulohet. Kur blerësi e konfirmon, paketoje dhe dorëzoje te korrieri me etiketën e Robelo.

Paratë lirohen në portofolin tënd 3 ditë pasi blerësi e merr pakon, nëse ai nuk ka hapur një problem. Tarifa e shitjes zbritet nga shuma dhe shfaqet kur vendos çmimin.

Kur blen

Para se të porositësh shikon çmimin e artikullit, mbrojtjen e blerësit dhe transportin. Paguan në dorëzim ose nga portofoli.

Kur shitësi konfirmon që e ka gati, ke 24 orë ta konfirmosh edhe ti, përndryshe porosia anulohet.

Nëse refuzon një pako ose nuk e tërheq, kostoja e korrierit mbetet borxh në llogarinë tënde dhe pagesa në dorëzim mund të pezullohet. Llogaritë e reja kanë një kufi për pagesën në dorëzim derisa të marrin disa porosi.

Shitësit janë persona privatë, ndaj e drejta e tërheqjes brenda 14 ditëve për blerjet online nuk zbatohet. Të mbron mbrojtja e blerësit e Robelo.

Mbrojtja e blerësit

Nëse artikulli nuk të vjen, nuk është si në foto ose në përshkrim, ose është i dëmtuar, na e thuaj te porosia brenda 3 ditëve pasi e merr.

E shqyrtojmë rastin dhe vendosim nëse kthehen paratë, plotësisht ose pjesërisht. Paratë e kthyera shkojnë në portofolin tënd.

Portofoli dhe tarifat

Paratë nga shitjet dhe nga rimbursimet mbahen në portofol. I përdor për blerje ose i tërheq në llogarinë tënde bankare. Shuma minimale dhe dita e pagesës shfaqen te Portofoli.

Tarifat dhe transporti shfaqen gjithmonë para se të publikosh ose të porositësh. Një porosi mban tarifat që kishte kur u bë.

Sjellja

Vlerësimet duhet të jenë të ndershme. Mos i përdor mesazhet për fyerje, për reklama ose për të paguar jashtë Robelo, sepse jashtë Robelo mbrojtja e blerësit nuk vlen.

Mund të heqim artikuj ose të pezullojmë llogari që i shkelin këto rregulla, ose kur dyshojmë për mashtrim. Kur mundemi, ta tregojmë arsyen.

Përgjegjësia dhe ligji

Robelo nuk garanton cilësinë e artikujve që shesin të tjerët dhe nuk përgjigjet për dëme indirekte. Asgjë këtu nuk i kufizon të drejtat që të jep ligji.

Mund t'i ndryshojmë këto kushte; të njoftojmë në aplikacion para se të hyjnë në fuqi. Zbatohet ligji shqiptar dhe mosmarrëveshjet i shqyrtojnë gjykatat e Tiranës.

Për çdo pyetje, shkruaj te robelo.app@gmail.com.